Flamuri i Francës, Foto: Pixabay

Franca mirëpret dakordimin në Bruksel: Të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka thënë se e mirëpresin dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë për propozimin evropian.

MPJ e Francës kanë thënë marrëveshjet tashmë të arritura duhet të zbatohen pa vonesë, përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin.

“Franca e mirëpret këtë vendim të guximshëm të dy vendeve. Tani pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva dhe me të njëjtën frymë kompromisi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Franca gjithashtu rikujton se të gjitha marrëveshjet tashmë të lidhura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të zbatohen pa vonesë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”- thuhet në komunikatën për media.

Tutje thuhet se Franca mbetet në mbështetje të ndërmjetësimit evropian, për të arritur përparim të shpejtë me synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi evropian, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese” – thuhet në pikën 10-të të këtij propozimi.

Kurti: Pala serbe nuk ishte e gatshme ta nënshkruajë planin franko-gjerman, unë po