Franca i kërkon NATO-s mobilitet për të frenuar agresionin rus

Nëse Evropa dëshiron të neutralizojë agresionin e mundshëm rus, duhet të bëjë më shumë punë për t’i lëvizur tanket, trupat dhe municionin e saj në mbarë kontinentin evropian, ka deklaruar një gjeneral i lartë francez për Politico.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, shtetet lëviznin trupat dhe armatimin e tyre poshtë e lart, detyrë që konsiderohej “shumë e thjeshtë” atëherë, por që “gradualisht u bë skajshmërisht e ndërlikuar”, ka thënë gjenerali Bertrand Toujouse, ushtarak i ngarkuar me detyrën e komandanti të komandës së porsakrijuar tokësore të Francës për Evropë.

“Është absolutisht thelbësore që të kthehej mobiliteti ushtarak në mendjet evropiane dhe për këtë na duhet të praktikojmë”, ka shtuar ai, duke folur prej zyrës së tij në Lille.

Nëse Rusia e sulmon një vend të NATO-s, ushtarët evropianë dhe amerikanë do të duhej të arrinin në krahun lindor të aleancës sa më shpejt që është e mundshme.

Por pengesat aktuale për të bërë lëvizje të shpejta përfshijnë procese të gjata dhe të fragmentuara administrative për të bartur materialin luftarak matanë kufijve; infrastrukturë joadekuate – përfshirë tunele edhe ura – për të lëvizur makineritë e blinduara; dhe mungesë të kapacitetit transportues, si vagonët.

Në maj, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së u kërkuan kryeqyteteve që të zbatonin Zotimin e Mobilitetit Ushtarak, që përfshin zotime për të investuar në infrastrukturë dhe për t’u siguruar qasje parësore në rrugë, hekurudha dhe metoda tjera të transportit për forcat e armatosura.

Në qershor, Franca bëri të ditur do t’i bashkohej ujdisë tashmë të nënshkruar prej Polonisë, Gjermanisë dhe Holandës për të krijuar një korridor ushtarak transit. Në korrik, Greqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan një letër me qëllimin e krijimit të bashkëpunimit ushtarak mobil tejkufitar.

Politico shkruan se ushtria franceze e kuptoi se sa e vështirë ishte të përshkonte Evropën në pranverën e vitit 2022, kur dërgoi një batalion në Rumani si reagim ndaj invazionit rus të Ukrainës.

“Ne zbuluam përmasat e shirit të kuq administrativ. Ka një luftë në Ukrainë, por zyrtarët doganorë shpjegojnë se ju nuk keni tonazhin e duhur për të kaluar dhe se tanket tuaja nuk lejohet të kalojnë në Gjermani”, ka kujtuar Toujouse. “Kjo është thjesht e pabesueshme”./Politico

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com