Foto, Facebook, Presidentja Vjosa Osmani

Franca i dhuron Kosovës 117 mijë vaksina "Pfizer"

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Franca i ka dhuruar Kosovës vaksina “Pfizer”.

Në lidhje me këtë, Osmani ka falënderuar presidentin Emmanuel Macron dhe popullin francez.

“Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falënderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur”, ka shkruar ajo.

Osmani ka thënë se Kosova ka arritur nivel të mirë të vaksinimit, mirëpo sipas saj doza e tretë është e domosdoshme për të parandaluar një valë të re infektimesh.

“Angazhimi ynë institucional për luftimin e pandemisë është fuqizuar vazhdimisht përmes përkrahjes së partnerëve e aleatëve tanë”, tha Osmani.

Presidentja me anë të këtij postimi lut qytetarët të vaksinohen.