Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe reagojnë për situatën në Agjencinë e Akreditimit

Tri Ambasada të shteteve të huaja në Kosovë, Ambasada e Francës, Gjermanisë dhe e Britanisë së madhe, kanë reaguar për situatën në të cilën gjendet Agjencia e Akreditimit në Kosovë.

Të tri këto Ambasada kanë kërkuar nga autoritetet përkatëse që të kryejnë funksionet e tyre dhe të kryejnë detyrat.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e konsiderojnë arsimin cilësor si përparësi për të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye, ata janë shumë të brengosur për bllokimin aktual brenda Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, i cili po vë në rrezik serioz akreditimin e programeve të studimit për vitin e ardhshëm akademik”, thuhet në reagimin e e Ambasadave.

“Ambasadat i konsiderojnë institucionet e pavarura, të përgjegjshme dhe transparente si kryesore për rregullimin e procesit të akreditimit të programeve arsimore dhe ata kanë respekt të plotë për autonominë e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ata janë shumë të shqetësuar për mosveprimin aktual të Komitetit të Ankesave të Agjencisë. Përtej shkeljes së përgjegjësive të veta administrative duke mos funksionuar, një veprim i tillë parandalon plotësisht akreditimin (ri) akreditimin e madje edhe të programeve më të mira të studimit. Kjo nga ana tjetër ndikon negativisht në institucionet arsimore në fjalë dhe aftësinë e tyre për të ofruar mundësi arsimore për të rinjtë e Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e përbashkët të tri Ambasadave të huaja në Kosovë.

Të tri këto Ambasada thanë se kanë investuar në përmirësimin e arsimit në Kosovë, andaj kanë bërë thirrje që të funksionalizohet Agjencia e Akreditimit.

“Të rinjtë janë pasuria më e madhe e Kosovës dhe duhet t’u ofrohen mundësitë më të mira për arsimim, për të mundësuar që ata të hyjnë në tregun e punës, të pajisur me aftësi të duhura profesionale. Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në sektorët e sundimit të ligjit dhe arsimit. Në këtë drejtim, të tre Ambasadat bashkërisht u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të kryejnë funksionet e tyre përkatëse dhe të kryejnë detyrat e tyre siç është paraparë me ligjin e Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.