Franca e Gjermania “hapin kuletën” për ta ndihmuar BE-ne e pas-pandemisë

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti Francez Emanuel Macron njoftuan për një fond të ri franko-gjerman me vlerë 500 miliardë euro si pjesë e planit të rimëkëmbjes nga coronavirusi për Bashkimin Evropian, raporton CNN.

Duke folur gjatë një video konference të përbashkët sot, Merkel konfirmoi se Komisioni Evropian do të marrë para hua për të rritur ekonominë evropiane, e cila është dobësuar rëndë nga masat emergjente të zbatuara për të trajtuar pandeminë e coronavirusit.

“Për të mbështetur një rimëkëmbje të qëndrueshme që rivendos dhe shton rritjen në BE, Gjermania dhe Franca mbështesin një fond ambicioz, të përkohshëm dhe me synim të rimëkëmbjes,” tha Merkel.

“Fondi i rimëkëmbjes prej 500 miliardë eurosh do të sigurojë shpenzime buxhetore për sektorët dhe rajonet më të prekura të BE-së,” shtoi ajo.

Macron iu bashkua Merkelit në video konferencë dhe vuri në dukje se fondi i ri stimulues do të mbështetej nga Banka Qendrore Evropiane në tregun financiar.

“Këto 500 miliardë euro do të duhet të paguhen,” tha Macron, por “jo nga përfituesit”, shtoi ai.

Presidenti francez përmendi gjithashtu nevojën për të “zvogëluar varësinë tonë nga jashtë në sektorët strategjikë” dhe “luftë më të mirë kundër investimeve grabitqare nga fuqitë e tjera”.