Paris. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Franca do t'i japë Ukrainës 100 milionë euro ndihmë humanitare dhe financiare

Franca i ka ndarë 100 milionë euro të tjera ndihmë financiare dhe humanitare për Ukrainën, tha ministria e jashtme franceze në një deklaratë të martën.

“Përballë situatës humanitare në Ukrainë të shkaktuar nga pushtimi i vendit nga Rusia dhe në përgjigje të kërkesës së autoriteteve ukrainase, Franca ka vendosur ta mobilizojë një paketë financiare prej 100 milionë eurosh për të dhënë një përgjigje për popullsinë e prekur nga konflikti”, thuhet në deklaratë.

“Përveç mbështetjes financiare për OJQ-të dhe organizatat shumëpalëshe, ndihma jonë merr formën e ndihmës urgjente humanitare.”

Tetë tonë ndihma të tjera u nisën nga Franca të martën për në Ukrainë, me deklaratën ku thuhej se “operacione të tjera humanitare për Ukrainën janë në shqyrtim e sipër”.

Franca gjithashtu do të ofrojë ndihmë për refugjatët ukrainas në Poloni, thuhet në deklaratë.

Franca ka dërguar tashmë 33 tonë ndihmë urgjente, e cila përfshin tenda, batanije dhe çanta gjumi, në Ukrainë nëpërmjet Polonisë. Ato iu dorëzuan autoriteteve ukrainase të hënën, sipas deklaratës së lartcekur./CNN