
Zhavori në rrugë në Leposaviq, 26 maj 2023
Franca dhe Gjermania mbështesin qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së për situatën në veri të Kosovës
Franca dhe Gjermania kanë mbështetur qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët deklaruan se dënojnë veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me situatën në veri.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Franca mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në veri.
Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve në veri duke thënë se dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, “të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
BE ka thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të “mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.
Nous soutenons la déclaration du porte parole du SEAE 🇪🇺
Kosovo: Statement by the Spokesperson on the latest tensions and clashes | EEAS https://t.co/g0NawlU8Yr
— Ambassadeur Olivier Guerot (@Olivier_Guerot) May 26, 2023
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët thanë se dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Rohde u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga përshkallëzimi, u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të punojnë ngushtë me KFOR dhe EULEX”- ka shkruar ambasadori në Twitter.
Fully agree. We call on everyone to refrain from escalation, urge Kosovan authorities to work closely with @NATO_KFOR and @EULEXKosovo . https://t.co/LFDggjM6jk
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) May 26, 2023
Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.