Flamuri i Francës, Foto: Pixabay
Franca dënon rritjen e veprimeve të njëanshme të autoriteteve të Kosovës
Veprimet e fundit në veri të Kosovës, ku u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe dhe po tentohet të hapet Ura e Ibrit, i ka dënuar edhe Franca.
Ministria për Europë dhe Punë të Jashtme të Francës përmes një komunikate për media është shprehur se ‘dënon fuqishëm rritjen e veprimeve të njëanshme të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit që ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb’.
Sipas ministrisë, këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat janë parakushte për anëtarësimin e ardhshëm të dy vendeve në BE.
“Franca u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm i ardhshëm që do të përkeqësonte më tej tensionet”- shkruan në komunikatën e datës 09.08.2024.
Franca inkurajon dy palët, Kosovën dhe Serbinë që të kthehen në tryezën e bisedimeve nën kujdesin e Bashkimit Europian në mënyrë që të bëjnë përparim drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur më 05.08.2024.
Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
Këto pika postare, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë më 05.08.2024, kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”- tha Sveçla.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se aksioni i autoriteteve kosovare si rezultat i së cilës u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, çon në tensione të reja.
Stano ripërsëriti që po shohin më shumë veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria e Kosovës.
“Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Ky nuk është shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Një gjë e tillë duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë” – tha Stano në një konferencë për media më 06.08.2024.
BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.