
Fotoja e Millosheviqit në një qendër votimi në Pasjan, po trajtohet nga Prokuroria e Gjilanit
Një fotografi e Sllobodan Millosheviqit është identifikuar në një shkollë e cila shërben edhe si qendër votimi në fshatin Pasjan të Gjilanit.
KALLXO.com ka marrë vesh se brenda njërën nga qendrat e votimit në fshatin Pasjan, në kabinetin e informatikës është gjetur një fotografi e Sllobodan Millosheviq e cila është kërkuar që të largohet nga shkolla.
Tutje siç mëson KALLXO.com, për rastin është njoftuar Policia por edhe Prokuroria edhe në Gjilan edhe në zyrën koordinuese në Prishtinë.
Ndonëse nuk lidhet direkt me procesin zgjedhor ngjarja është marrë dhe po trajtohet edhe nga Prokuroria në Gjilan.
Në fshatin Pasjan, jeton kryesisht komuniteti serb dhe janë të përcaktuara janë dy qendra të votimit.
Siç mëson KALLXO..com aty kanë votuar qytetarë të cilët janë parë duke shkuar në qendra të votimit edhe me autobusë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.
Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në paraburgim.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.
Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.
KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.