
Komuna e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com
Fotografi nga Zubin Potoku, situata edhe atje raportohet e qetë
Dita e fundit e kësaj jave po shoqërohet me një situatë të qetë edhe në Zubin Potok.
Aty ku para dy ditëve pati situatë tensionuese, sot lëvizja e qytetarëve ka qenë normale.
Pranë objektit të komunës në këtë qytet, e para forcave policore të Kosovës qytetarët kalonin lirshëm.
Ndonëse moti është me shi, vendasit e kësaj komune prapë vazhduan me punët e tyre.
Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar pranë objektit komunal në mesditën e kësaj të diele ku ka parë ekipet e Policisë së Kosovës e ekipe të misionit NATO-s, KFOR që po monitoronin situatën.
Edhe PK ka vlerësuar që në veri të vendit po mbizotëron situatë e qetë.
Në një përgjigje për KALLXO.com mëngjesin e sotëm, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se situata e sigurisë së përgjithshme në vend është e qetë.
“Një situatë e tillë edhe përkundër zhvillimeve të fundit, sot vazhdon të jetë qetë edhe në veri të vendit, ku Policia e Kosovës po kryen detyrat dhe angazhimet e saja me njësitet relevante policore” – u shpreh Kelani.
Të premten që lamë pas, tri komuna në veri të Kosovës patën tensione.
Me dhjetëra qytetarë u mblodhën pranë objekteve komunale në shenjë proteste për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023 në këto objekte.
Kryetarët arritën të futeshin brenda nën përcjellje të Policisë, mirëpo kjo rriti tensionet, sidomos ne Zveçan e në Leposaviq.
Për të shpërndarë turmën e mbledhur, zyrtarët policor u detyruan të përdorin edhe gaz lotsjëllës.
Përpos kësaj, në mesin e qytetarëve të mbledhur u panë edhe persona të maskuar, e madje edhe u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Pesë zyrtarë policor pësuan lëndime të lehta trupore, e disa vetura të Policisë së vendit u demoluan, ku njërës prej tyre edhe iu vu flaka.