Fotografi nga vendi ku ndodhi vrasja në Fushë Kosovë

Vrasja në Fushë Kosovë në të cilën dyshohet se djali me probleme mendore ka vrarë babain e tij, ka ndodhur në rrugën ‘Elez Ramadani’.

KALLXO.com ju sjellë fotografi nga vendi i ngjarjes në të cilën shihet edhe Polica e Kosovës si dhe mësohet se ekipet e forenzikës janë brenda shtëpisë.

KALLXO.com nga burime brenda policisë mëson se personi i dyshuar për vrasje ka vrarë babain e tij dhe se i njëjti ka pasur edhe sëmundje mendore.

Lajmin për vrasjen e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se për këtë rast është arrestuar një i dyshuar.

“Me datë 20.07.2020 rreth orës 16:50 Policia ka pranuar një informatë se në Fushë Kosovë ka ndodhur një vrasje. Për rreth 5 minuta njësitë policore kanë arritur ne vendin e ngjarjes, ku edhe kanë arrit te arrestojnë një person të dyshuar. Njësitet relevante kanë dalur ne lokacion dhe hetime të mëtejme janë në proces për të sqaruar rrethanat tjera të rastit”, ka thënë Hoxha.