FOTOGALERI - Nis protesta e PSD-së kundër Gjykatës Speciale
Me sloganin “Jo në emrin tim” i përcjellë me disa pankarta që mbajnë emrat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka filluar protesta e organizuar nga Partia Socialdemokrate.
Protesta është thirrur nga kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, pas vendimit dënues ndaj Salih Mustafës.
Salih Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim nga Gjykata Speciale.
Të pranishëm në protestë janë parë edhe kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL- UÇK), Faton Klinaku dhe deputetet e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu- Shoshi.
Pak ditë më parë, PSD ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për amendamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Në një deklarim para gazetarëve, kryetari PSD-së, Dardan Molliqaj, kishte thënë se kërkesa iu është drejtuar të gjithë deputetëve, përveç atyre të Listës Serbe.
“Sot iu kemi drejtuar të gjithë deputetëve të parlamentit të Kosovës, me përjashtim të Listës Serbe, për t`u bërë pjesë e grupit që do të duhej të ndërtohej nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, për të filluar amandamentimin e ligjit për dhomat e specializuara” – kishte thënë Molliqaj.
“Ne konsiderojmë që janë dy nene shumë problematike që nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtarë për krime lufte dhe as me konventat ndërkombëtare për krime lufte”.
Molliqaj kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit, sipas tij, që të jenë në nivelin e detyrës dhe të shqyrtojnë këtë kërkesë.