FOTO - Situata me vërshimet në Skenderaj

Ditëve të fundit Kosova është përballur me reshje të shumta të shiut dhe të borës, që ka sjellë vështirësi te disa rajone në vend.

Në komunën e Skenderajt deri më tani janë paraqitur 18 raste të familjeve që kanë kërkuar ndihmë nga organet e nivelit lokal.

Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë Komunë, Gëzim Ejupi në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se situata në Skenderaj është e menaxhueshme. Ejupi njoftoi se fshatrat më të prekura janë Llausha, Marina, Kopiliqi dhe Vajniku.

Gjithashtu theksoi se pranë një shtëpie ka pasur edhe shembje të dheut, por që shton se të gjithave rasteve të paraqitura iu janë përgjigjur.

“Kemi raste goxha shumë por jo diçka është e pamenaxhueshme, nuk ka shumë shtëpi që janë vërshu. Gjithçka e kemi nënkontroll, tash për tash i kemi vizitu të gjitha rastet. Deri tash i kemi 18 raste që na u kanë paraqit edhe i kemi vizitu në terren. Fshatrat më të prekura janë Llaushë, Marinë, Kopiliq, Vajnik edhe këtu në qytet i kemi disa kanalizime të ujërave atmosferike që janë rregullu. Në lagjen 6 të qytetit është një shtëpi që ka pësu shembje të dheut afër sepse toka nuk ka qenë e përshtatshme për banim. Një shtëpie i kemi propozu qe me u evakuo por nuk ka pranu ende, ne i kemi thanë qe na ja sigurojmë me banim me krejt. Po hezitojnë se nuk kanë pësu edhe shumë ujë brenda”, tha ai.

Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari në një postim në “Facebook”, ka deklaruar se vërshimet fatkeqësisht kanë bërë edhe dëmtime infrastrukturore të cilat do të rregullohen pas qetësimit të situatës.

“Bashkë me nënkryetarin, Nuredin Lushtaku, drejtorë komunal dhe sektorin e emergjencave vizituam zonat e prekura nga vërshimet e këtyre ditëve që ndodhën në komunën tonë. Zona më e prekur është ajo e Llaushës si pasojë e ngushtimit të shtratit të lumit “Klina”, të cilin shumë shpejtë do të fillojmë ta pastrojmë dhe zgjerojmë. Sektori i emergjencave në komunën tonë bashkë me zjarrfikësit janë duke iu dalë në ndihmë familjeve të prekura nga këto vërshime”, ka shkruar Jashari.

Jashari ka bërë apel që qytetarët që kanë nevojë për përkrahje emergjente të lajmërohen tek drejtoria e shërbimeve publike, në numrat e telefonit: 044/ 273-176  dhe 048/300-087.

KALLXO.com është duke raportuar vazhdimisht për gjendjen e komunave të tjera të Kosovës të cilat kanë pësuar vërshime dhe përmbytje.