FOTO: Serbët mbajnë të bllokuara rrugët dhe protestojnë edhe në mot me shi

Janë bërë më shumë se 10 orë që qytetarët e veriut kanë bllokuar rrugët në afërsi të  pikës kufitare në Jarinje.

Ky bllokim vjen në shenjë pakënaqësie pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve.

Protestuesit nuk po shpërndahen ndonëse në zonë po bie shi.

KALLXO.com është duke qëndruar në vendin e ngjarjes qysh nga orët e hershme të mëngjesit.

Foto: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot në një konferencë për media  ka thënë se lidhur me operacionin e sotëm në veri të vendit institucionet e Kosovës kanë pasur bashkëbisedim dhe koordinim me aleatët.

Kurse, për bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve tha se ata janë të sigurt dhe u ka bërë thirrje mos t’i bllokojnë rrugët.

Reagim në lidhje me këtë çështje ka pasur sot nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve.