Foto: Policia e Kosovës

FOTO: Respektimi i masave anti-COVID-19, Policia vazhdon kontrollet

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke operuar në terren me qëllim respektimin e masave kundër pandemisë COVID-19.

Këto kontrolle Policia bën të ditur se është duke i kryer në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

“Pavarësisht detyrave dhe angazhimeve tjera policore, në çdo kohë dhe në çdo vend, Policia është duke operuar me zyrtarët e saj dhe Inspektorët e AUV, për të kontribuar në respektimin e masave dhe në ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.

Sipas PK-së, shëndeti dhe siguria e qytetarëve tanë vazhdon të mbetet prioritet në këtë periudhë pandemie.

“Policia e Kosovës që nga shfaqja e rasteve të para të infektimit me virus Covid-19 është angazhuar me përkushtim në ofrimin e mbështetjes për autoritetet shtetërore në funksion të menaxhimit të situatës, implementimit të planeve në zbatim të masave dhe kufizimeve për të parandaluar përhapjen e virusit. Prandaj, respektoni masat e vendosura në të mirë të secilit, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, Kosova është në orë policore nga ora 22:30 deri në orën 05:00.