FOTO: Qytetarët e Pejës nuk i respektojnë masat kundër coronavirusit, vërshojnë rrugët dhe sheshet

Qytetarë të Pejës kanë vërshuar rrugët e qytetit, këmbë ose me vetura, porsa ka filluar pauza e orës policore në ora 16:00, e vendosur si masë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Shumë qytetarë kanë dalë rrugëve e shesheve të qytetit, duke mos respektuar distancën që është rekomanduar nga institucionet e vendit për të shmangur infektimin me virusin Covid-19.

Madje, ka pasur shumë prej tyre që kanë dalë edhe pa maskat mbrojtëse.

Ndonëse në Kosovë zyrtarisht me coronavirus janë prekur 86 persona, mungesa e rasteve në Pejë ka bëre që pejanët pas orës 16:00 deri në orën 20:00 të dalin qoftë këmbë qoftë me vetura, duke krijuar edhe kolona.

Kosova është në gjendje emergjente të shëndetit publik që nga momenti kur numri i të prekurve filloi të rritej.

Qeveria e Kosovës duke e parë rritjen e numrit të të prekurve me këtë virus ka ndërmarrë masa për kufizimin e lirisë duke caktuar orën policore.

Qytetarët nuk kanë të drejtë të qarkullojnë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 pas dite si dhe nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 06:00 të mëngjesit.