FOTO - PSD me flamuj të zinj kundër dhunës e vrasjes së grave

Partia Socialdemokrate ka vendosur flamuj të zinj në disa pjesë të qytetit të Prishtinës, kjo si shenjë kujtimi për gratë që ishin viktimë e dhunës.

Sipas tyre, vrasjet e grave janë të paralajmëruara, dhe se ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje.

“Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala “neglizhencë” përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin”, thuhet mes tjerash në njoftimin e kësaj partie në rrjetin social “Facebook” ku publikuan edhe disa fotografi nga ky aksion.

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga ky aksion i sotëm.

Flamuj të zinj – PSD / Foto: Urim Krasniqi KALLXO.com
Flamuj të zinj – PSD / Foto: Urim Krasniqi KALLXO.com
Flamuj të zinj – PSD / Foto: Urim Krasniqi KALLXO.com

Në anën tjetër, për sonte prej orës 18:00-19:00 është paralajmëruar të mbahet të manifestim të heshtur përkujtimor për Sebahate Morinën, 42 vjeçaren, të cilën më 14 mars në Prishtinë e vrau Lulzim Sopi, ish-bashkëshorti i saj.

Manifestimi sipas disa aktivistëve, mund të organizohet edhe nëpër ballkonet, për të shprehur pikëllimin dhe mllefin duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë.

Ky është njoftimi i plotë i PSD-së

Homazh – errësira e sferës private duhet të ndriçohet.

Në dhomën e ditës errësira ka zënë vendin e jetës. Çdo ditë është një goditje e re, ndonëse është përsëritje. Problemet në familje mbahen të izoluara, deri në momentin kur gruaja e tradhëton këtë pakt. E shkelja asaj i kushton me jetë. Burri vret gruan.

Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala “neglizhencë” përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin.

Sa herë dëgjojmë që një burrë ka vrarë gruan, duhet ta dijmë se aty ka pasur një luftë të gjatë, të mundimshme, se aty ka pasur shtypje e shfrytëzim. Secila krismë plumbi le si evidencë privilegje të cenuara të burrit, cenim të pushtetit. Sa herë trupi i pajetë i gruas shtrihet në dysheme, duhet nënkuptuar që aty është një histori rezistence.

Këto qëndresa individuale duhet t’i bashkojmë dhe t’i kthejmë në dije që formojnë dhe organizojnë bashkësi politike. Gratë që janë të privuara nga organizimi aktiv dhe nga pjesëmarrja në sferën publike duhet të jenë pjesë e diskursit dhe organizimit feminist. Hapësira private duhet të politizohet dhe gratë me pamundësi grumbullimi duhet të jenë po kaq pjesë e betejave për çlirim, përmes formave të reja të pjesëmarrjes. 

Nuk guxojmë që aktivitetin tonë dhe ndjeshmëritë për çështje të definohen nga përjetimet tona, të ndryshme nga ato të grave që nuk janë më. Përvojat tona mund të jenë të ndryshme, por lufta është e përbashkët.

Sot kujtojmë, nesër luftojmë.