(FOTO) Protesta për të drejtat e punëtorëve me kritika për Qeverinë Kurti

“Qeveri – Kompani private hapë sytë, punëtorët po shkojnë”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “themeloni gjykatën e punës”, “Të fillojë sa më parë aplikimi i sigurimit shëndetësor” janë disa nga parullat me të cilët protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt objektit te Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, deklaroi se janë të zhgënjyer me ‘mos punën’ e Qeverisë Kurti, pasi sipas tij, ka pasur shumë premtime për punëtorët.

Azemi deklaroi se çdo ditë rreth 2 mijë persona aplikojnë nëpër ambasada sepse nuk ka kushte për punë në Kosovë.

Kryesindikalisti tha se do të vijë momenti që punëdhënësit, kompanitë do të mbesin pa punëtorë.

“Qeveri pse në ditën e vikendit, e festës na shtytë që të dalim të protestohet se edhe ne kemi obligime. Kemi dalë që ta bëjmë rrumbullaksimin e punës për një vit që kërkesat i parashtruam këtu që ta njoftojmë opinionin qeverinë se deri kur kemi arritë. Sindikata bëri të pamundur luftoi për secilin punëtor, në cdo korridor. Por fatkeqësisht ajo qeveri e cila premtoi mrekulli për realizimimin e premtimeve dhe obligimeve nuk bëri asgjë. E dim që na keni njollosur e rrëzuar për tokë, po vinë ditët e mira se ju do të keni për neve. Z. kryeministër kemi ardhur në një moment që po mbani punëtorë rezervë se po mbetnin pa punëtor. Çdo ditë po aplikojnë 2 mijë personë nuk se nuk u siguarn kushte për punë. Fatura ju bëhet juve, z.kryeministër ne nuk kërkojmë lëmoshë që djersa të paguhet për ndryshe. Nuk mund të mbahen 60 mijë kompani më 35 inspektorë. Kemi pritur shumë nga ju, sepse kemi premtuar shumë, jemi të zhgënjyer për respektimin që nuk po ndodhë”, tha Azemi.

Në orën 12 pritet qe të mbahet edhe një protestë nga  “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” mban protestë.

1 Maji është dita që në të gjithë botën i kushtohet punëtorëve. Kjo lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

KALLXO.com raportoi se ka kaluar më shumë se një vit qeverisje, por ekzekutivi që drejton Albin Kurti nuk ka arritur të shtoi numrin e inspektorëve të punës. Për katër muaj, tetë punëtorë gjetën vdekjen në vendin e punës në Kosovë. Inspektorati i Punës, që është në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, aktualisht numëron vetëm 35 inspektorë.