FOTO - Policia në Gjakovë zbulon laboratorin në bodrum të shtëpisë ku kultivohej kanabisi

Policia e Kosovës ka goditur mëngjesin e sotëm një rast të kultivimit të bimëve narkotike në Gjakovë

Në njoftim thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë, ka pranuar njoftimin se në një shtëpi në Gjakovë, kultivohen bimë kanabis sativa.

Pas pranimit të këtij informacioni, sot rreth orës 10:35, në konsultimi me prokurorin kujdestar dhe pas marrjes së urdhrit verbal nga Gjykata Themelore Gjakovë, ka filluar kontrolli i shtëpisë në prezencë të dy dëshmitarëve.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në pjesën e bodrumit të shtëpisë,  është gjetur një lloj laborator me ventilim, me drita të posaçme dhe pjesë tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve kanabis sativa.

Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës si dëshmi materiale ka konfiskuar 14 vazo me bimë të cilat dyshohet të jenë anabis sativa me gjatësi 90-160 cm, 11 bimë në proces të tharjes të cilat dyshohet të jenë anabis sativa të gjetura në tavan të shtëpisë, katër shishe nga 1.5 dhe 2 litra të mbushura me lëngë që dyshohet të jetë vaj kanabisi, dy sera  për kultivim të bimëve kanabis sativa, dy rregullator të rrymës së bashku me drita, dy freskuese të ajrit, një ventilator,  një termometër për matje të temperaturës,  dhe gjashtë  fishekë të armës kalibri i panjohur.

“Në  vend-ngjarje ka dal prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore Gjakovë i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’”, thuhet në njoftim.