FOTO: Paratë që iu konfiskuan policit të arrestuar në Ferizaj për fajde

Një zyrtar policor me gradën kapiten dhe punonjës në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt është arrestuar pak orë më parë pasi u kap në flagrancë deri sa po i merrte disa para për fajde nga një qytetar.

Një vit më parë, IPK – Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës kishin nisur të hetonin një rast ku të dyshuar ishin edhe disa qytetarë.

Nga kjo më pas doli se i përfshirë në këtë rast është edhe një zyrtar policor ndërsa gjatë ditës së sotme i njëjti është zënë në flagrancë deri sa po pranonte paratë si pjesë e një fajdeje.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se arrestimi është bërë në orët e pasdites nga Departamenti i Hetimeve- Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Me urdhër të Prokurorisë së Ferizajt hetuesit e IPK-së janë duke realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj ku në cilësi të provave janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.