Foto: KALLXO.com

FOTO: Pacientët dhe vizitorët ndihen të rrezikuar nga puseta dhe kundërmimi nga kanalizimi

Një pusetë e kanalizimit pa kapak në mes të korridorit në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK po i rrezikon pacientët, familjarët e tyre dhe personelin që frekuenton atë.

Për të parandaluar ndonjë aksident ku mund ta pësonte ndokush, dikush ka vënë një ulëse mbi pusetë.

Përveç pusetës pa kapak, personat që po e frekuentojnë këtë pjesë po përballen edhe me ujin e kanalizimit që ka dalë sipër.

Pacientët dhe vizitorët po ankohen edhe nga kundërmimi që po del nga puseta dhe uji që ka rrjedhur nga kanalizimi.

“Njeri po vjen me u mjeku e 100 sëmundje tjera po i merr. Era e kanalizimit në dy katet e para po kundërmon. Nuk po dihet a është spital a çka është”, tha Albulena, që kishte ardhur në vizitë te një i afërm.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Zyrtarja për informim e këtij institucioni, Mirlinda Qyqalla, tha se sipas informatave të marra nga shërbimet teknike, aty ka pasur një bllokim të një gypi dhe menjëherë është njoftuar ekipi i shërbimeve teknike, i cili, sipas saj, menjëherë ka reaguar dhe e ka rregulluar gypin.

“Ju njoftojmë se nuk ka pasur asnjë rrjedhje, vërshim apo ndonjë problem tjetër”, tha për KALLXO.com Mirlinda Qyqalla.

Mirëpo, fotot e siguruara nga KALLXO.com tregojnë një gjendje krejt tjetër.