FOTO – Momenti i arrestimit të policit për ryshfet në Shtime

KALLXO.com ka raportuar më herët se dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Sipas burimeve të KALLXO.com dyshimet janë se zyrtarët policorë kanë kërkuar një shumë parash nga një qytetar, i cili i kishte kërkuar t’i shlyhej një dënim.

Masat e fshehta të Inspektoratit Policor të Kosovës, gjatë ditës së sotme e vunë në pranga dy zyrtarë policorë.

IPK njoftoi se kishte pranuar dy ditë më herët një informacion lidhur me aktivitetin e dyshimtë për një zyrtar policor të Stacionit Policor në Shtime.

Hetuesit e IPK-së kanë siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Të arrestuarit të parë me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas IPK-së, zyrtari policor dyshohet për mos ekzekutimin e urdhëresave të ndryshme të organeve të drejtësisë duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga momenti i arrestimit të njërit zyrtar të policisë.

Foto: Kallxo.com