Foto - Kolona në hyrje-dalje të Prishtinës

Me futjen e Komunës së Prishtinës në karantinë për shkak të rasteve të coronavirusit, kanë filluar të krijohen edhe kolona në hyrje të kryeqytetit.

Nga disa fotografi të dërguara nga një qytetar në KALLXO.com, vërehet se kolonat janë krijuar në hyrje të Prishtinës nga Fushë Kosova.

Kolona po ashtu është bërë për shkak të kontrolleve të Policisë së Kosovës, që kontrollojnë nëse qytetarët kanë leje për lëvizje të lirë apo nëse kanë orarin për lëvizje, siç është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Më 11 prill, Ministria e Shëndetësisë mori vendim që Prishtina të futet në karantinë, si masë  parandaluese kundër përhapjes së coronavirusit.

Deri më tani,sipas të dhënave të plaftormës #rrinshpi, kryeqyteti ka 64 persona të infektuar me COVID-19 dhe 1 viktimë dhe janë bërë 5 mijë e 9 testime.

Në nivel vendi janë regjistruar 598 persona të diagnostifikuar me coronavirus, 123 të shëruar dhe 16 viktima.