Kokaina në ngarkesën me banane

FOTO - Kapen mbi 33 kilogram kokainë në një ngarkesë me banane

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se kanë gjetur 33.5 kilogram kokainë në një ngarkesë me banane në Durrës.

Për këtë rast, Policia e Shqipërisë njoftoi se deri më tani janë arrestuar tre persona dhe është shpallur në kërkim një person tjetër, i cili është pronari i kompanisë që priste ngarkesën me banane, në të cilën u gjet droga.

“U shpall në kërkim shtetasi T.M., 53-vjeçar, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij” – ka thënë Policia shqiptare.

Tre të arrestuarit tjerë janë dy punonjës të skanerit në Portin e Durrësit dhe administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane.

Ky i fundit, P.D., 57-vjeçar dyshohet për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i arrestuari i dytë A.N., 48-vjeçar, me detyrë operator skaneri në Portin e Durrësit dyshohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik” dhe i arrestuari i tretë A.S., 48-vjeçar, me detyrë imazhier skaneri në Portin e Durrësit, dyshohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.

Operacioni ku u kap droga u quajt “Again” dhe ka për qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Policia njoftoi se operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës dhe në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale.

Ky operacion ishte i bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, ku thuhej se në një kontejner me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike.

Kokaina e gjetur në ngarkesën me banane. Foto: Policia e Shtetit/Facebook
Kokaina e gjetur në ngarkesën me banane. Foto: Policia e Shtetit/Facebook