FOTO: I mituri rrëmben autobusin nga stacioni në Skenderaj

Një incident që ka mundur të përfundojë tragjikisht ka ndodhur dje në Skenderaj.

Një i mitur ka ndezur një autobus të kompanisë ‘Bajriqi’, të cilin e ka vozitur për disa metra.

Rasti ka ndodhur në Stacionin e Autobusëve në Skenderaj.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë.

Diamant Bajriqi e konfirmoi rastin. Ai për KALLXO.com tha se një fëmijë e ka ndezur autobusin, e ka futur në shpejtësi dhe ka ecur disa metra.

Me këtë veprim sipas Bajriqit, i mituri ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet në qarkullim.

“Autobusi ka qenë i mbyllur, nuk ka qëllu askush aty, çelësat kanë qenë të hequr. Ai kur ka udhëtu zakonisht me autobus i ka pa lëvizjet e shoferit. Në kohën kur ka hyp ai autobusi ka qenë në parking”, deklaron Bajriqi.

“Ai e ka shfrytëzu rastin kur askush i kompanisë nuk ka qenë aty. Kanë qëllu veç qytetarë të rastit dhe punëtori i Stacionit, të cilët kanë intervenu m’e ndalë autobusin. Ai e ka hequr të miturin nga karriga e vozitësit dhe e ka ndalë autobusin”, shtoi Diamant Bajriqi.

“Për fat të mirë nuk ka pasur nxënës, kanë qëllu veç njerëzit në lëvizje. Nuk ka pasë të lënduar, përveç një veture që ka qenë te rruga është gërvishur”, shtoi ai për KALLXO.com

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për KALLXO.com se rasti është hapur vetëm si aksident me dëme material.

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga vendi i ngjarjes.