Objekti i ish-gjykatës në Vushtrri 07.03.2021 Foto: KALLXO.com

FOTO - Gjendja e rënduar e ish-objektit të Gjykatës në Vushtrri që ka nis të shembet

Në gjendje jo të mirë dhe të mbushur me mbeturina është gjendja e objektit të ish-gjykatës në Vushtrri.

Kjo ndërtesë mund të paraqet rrezik për banorët, pasi një pjesë e mureve të saja ka filluar edhe të shembet.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që çështja e këtij të objekti të trajtohet me prioritet.

Idrizi në kërkesën e tij e ka quajtur si objekt me rrezikshmëri të lartë.

Në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës të siguruar nga KALLXO.com thuhet se ajo nuk merr përgjegjësi për menaxhimin dhe as për dëmet e degradim eventual.

Sipas MKRS-së përgjegjësia ngel tek pronari/poseduesi/shfrytëzuesi.

“Është plotësisht e qartë sipas dispozitave të Ligjit Nr.02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore, se asetet e trashëgimisë kulturore mund të shpronësohen nga shteti në kushtet e caktuara e krejtësisht të veçanta të rasteve konkrete megjithatë përderisa kjo nuk ndodh atëherë edhe menaxhimi edhe kujdesi gjithnjë sipas ligjit i përkasin pronarit/poseduesit/shfrytëzuesit”, thuhet në përgjigjen e MKRS drejtuar Komunës së Vushtrrisë.

MKRS kërkon nga Komuna e Vushtrrisë që t’i kryej obligimet ligjore të cilat dalin nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore.

KALLXO.com ka dërguar sot pyetje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Ndërkaq në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se kërkesën drejtuar Ministrisë së Kulturës e ka bërë me qëllim të ngritjes së shqetësimit për objektin në fjalë.

“Me qëllimin më të mirë iu kam shkruar, as nuk e kam paragjykuar epilogun, ata le të vendosin. Unë vetëm e kam ngrit si shqetësim sepse aty është bërë vend i dukurive negative. Unë jam i interesuar me punu”, tha Idrizi.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë para një viti kishte votuar që ta rrëzojë objektin e Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.

Kjo kishte ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte refuzuar vendimin e Komunës së Vushtrrisë për rrëzimin e ish-objektit të Gjykatës në këtë qytet.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, MAPL kërkonte nga Komuna e Vushtrrisë rishqyrtimin e një vendimi të tillë. Pavarësisht vendimit, Komuna e Vushtrrisë që në atë kohë udhëhiqej nga Xhafer Tahiri kishte nënshkruar kontratë për rrënimin e ish-objektit të Gjykatës dhe kishte filluar rrënimin.

Ndaj kësaj kishte reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila kishte thënë se nuk duhet të ndërmerren hapa drejt shfrytëzimit apo rrënimit të kësaj ndërtese dhe se do të reagonte përmes Ligjit për Trashëgimi Kulturore.