
Parakalimi FSK-së dhe Policisë. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
FOTO GALERI: Parakalimi i FSK-së dhe Policisë, prezantohen automjete e pajisje ushtarake
Midis mijëra njerëzve që kishin dalë për të festuar, për nder të Pavarësisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës.
Aty janë prezantuar edhe pajisjet dhe automjetet e dy këtyre forcave të sigurisë.
Rrugët e kryeqytetit ishin mbushur përplotë me flamurin shtetëror dhe atë kuqezi, plisa të bardhë, muzikë e valle, duke pritur me padurim parakalimin e forcave të Kosovës që nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Katedralja “Nëna Terezë” ku mbahej manifestimi qendror.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si krenarinë e shtetit dhe pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ne jemi sot këtu sepse luftuam sepse sakrifikuam sepse nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë dhe mizorive” – është shprehur Osmani në organizimin që u mbajt në sheshin “Xhorxh Bush”.
Ajo përmendi punën e madhe dhe sakrificën komandantit Adem Jashari dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e parakalimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës mes shumë personaliteteve të përmendura, ka kujtuar edhe ish-kryeministrin e ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të popullit të saj, emrat e përveçëm të së cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës si dhe nga krerët shtetërorë të asaj kohë, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi” – tha Kurti para të pranishme.
Kurti tha se Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri, që nga Azem Bejta e Shaban Polluzha, deri tek Zahir Pajaziti e kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli si dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.
Ata akuzohen për krime lufta nga Prokuroria në Hagë.






Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.
Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.
Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.
Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.
Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.