FOTO- Forcat e rendit të Kosovës nisën drejt Shqipërisë

Njësi të specializuara të Policisë së Kosovës janë nisur drejt Shqipërisë për t’i ndihmuar atje ekipet emergjente pas tërmetit të sotëm.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim të Republikës së Shqipërisë, për t’iu asistuar njësiteve emergjente të cilat janë të inkuadruara në operacionin e kërkim-shpëtimit, si pasojë e tërmetit të fuqishëm të ndodhur në disa lokacione të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit atje janë dërguar 110 operatorë.

“Njësitet policore të PK-së, në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësiteve të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike, të cilat tanimë kanë kaluar kufirin e Kosovës, do të jenë në shërbim të autoriteteve të Shqipërisë dhe sipas nevojës emergjente do të operojnë në kërkim-shpëtim të banorëve që dyshohet se kanë mbetur nën gërmadha të objekteve të rrënuara”, thuhet tutje në njoftim.

Forcat e rendit njoftuan se janë në gatishmëri për angazhim sipas nevojës edhe në Kosovë, pasi edhe në vendin tonë janë ndier disa lëkundje tërmeti.

Deri më tani, autoritetet shqiptare njoftuan për shtatë viktima njëri nga ta dyshohet se është shtetas i Kosovës.