FOTO - Forca të rendit sigurojnë shkollën ku do të betohet kryetari i Zveçanit, Ilir Peci

Forcat e rendit nga Policia e Kosovës tashmë kanë siguruar perimetrin e shkollës “Isa Boletini” në Zveçan, objekt ky në të cilin do të mbahet sot ceremonia e betimit të kryetarit të Komunës se Zveçanit, Ilir Pecit

KALLXO.com sjell fotografi nga ky vend ku shihen edhe ekipet policore jashtë objektit shkollor.

Kryetari i Zveçanit do të bëjë betimin e tij në shkollën “Isa Boletini” dhe jo në ndërtesën e Kuvendit Komunal.

Përveç në Zveçan, sot pritet të marrin mandatin edhe kryetarët nga Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, kryetar i ri i Zubin Potokut u votua Izmir Zeqiri nga PDK, në Zveçan, Ilir Peci, po ashtu nga PDK-ja, ndërsa në Leposaviq Lulzim Hetemi nga LVV-ja.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqi nga Lëvizja Vetëvendosje, që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, mandatin si kryetar i kësaj komune e ka marrë të premten e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se betimi i kryetarëve të rinj, do bëhet në ndërtesa publike në këto komuna.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat e betimit për tre kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Kanë kaluar gjashtë muaj që kur këto komuna mbetën pa kryetar dhe dy prej tyre edhe pa kuvende, kurse banorët pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale” – ka thënë Kurti më 24 maj.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3%.

Komunat kishin mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.