FOTO: Ferizajasit gati t’i shembet shtëpia për shkak të punimeve rrëzë saj

Diamant Hetemi dhe pesë anëtarët e familjes së tij janë në hall për shkak të punimeve që janë duke u zhvilluar rrëzë shtëpisë së tij në rrugën “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në Ferizaj.

Afër shtëpisë së tij po bëhen përgatitje për t’u ndërtuar një kompleks banesor.

Në një deklaratë për KALLXO.com, ai thotë se për shkak të punimeve që janë duke u kryer aty shtëpia e tij është në rrezik të shembet.

“Nuk po di as ku me u anku. Kam bo edhe kërkesë në Komunë dhe institucionet kompetente. Tash i kam nxjerrë nga shtëpia fëmijët dhe çka kam mujtë se ka fillu me ra shpija, shupa (magazina) ka ra krejt”, tregoi ai për KALLXO.com.

Tutje Diamant Hetemi theksoi se shtyllat mbajtëse të shtëpisë tashmë janë rrëzuar.

“Dje është ça, e kam lajmëru punëkryesin, u kam thenë: ju lutem merrni masa! Më kanë thënë se shtyllat mbajtëse janë shumë të forta po tash kanë ra edhe ato”, tregoi tutje ai.

KALLXO.com ka bërë përpjekje të diskutojë këtë çështje me drejtorin e Infrastrukturës në Ferizaj, Arbër Bytyqi, por ai nuk ishte i qasshëm.