Ish-qendra e paraburgimit Keraterm, pranë Prijedorit në Bosnje. Foto: Kemal Softic/Nidal Saljic.

Foto eseja e BIRN tregon skenat e krimeve të përfshira në çështjen e Mlladiçit

Para vendimit përfundimtar të kësaj jave në gjyqin e gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, BIRN paraqet një foto ese që tregon vendet ku janë kryer krimet e përfshira në aktakuzën e tij, shoqëruar me citime nga dëshmitarë kryesorë.

Fotografi të reja nga vendet e kampeve të paraburgimit dhe vendndodhjet e vrasjeve masive gjatë luftës në Bosnjë janë pjesë e një foto eseje të publikuar nga BIRN të hënën, një ditë para vendimit përfundimtar në gjyqin e Ratko Mlladiç në gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Imazhet shoqërohen me citime nga dëshmitarë kryesorë të cilët dëshmuan gjatë procesit dhjetëvjeçar kundër Mlladiçit për atë që ndodhi në këto vende.

Shikoni esenë fotografike “Skenat e krimeve” këtu.

Denis Dzidiç, drejtori i BIRN Bosnje dhe Hercegovinës, i cili krijoi projektin “Skenat e krimeve”, tha që ai synon t’u kujtojë njerëzve dëshmitë më të rëndësishme të dëshmitarëve nga gjykimi, por gjithashtu të theksojë shkallën e krimeve për të cilat Mlladiç është gjykuar.

“Në të njëjtën kohë, ne donim të theksonim faktin se Bosnja dhe Hercegovina është ende duke jetuar me pasojat e tmerrshme të luftës, të cilat këto fotografi i tregojnë shumë qartë. Shumica e vendndodhjeve janë të pashënuara dhe disa po përkeqësohen. Kultura jonë e përkujtimit duhet t’i kujtojë këto vende”, tha Dzidiç.

Për projektin, vendet e renditura në aktakuzë u vizituan nga fotografët Kemal Softiç dhe Nidal Saljiç.

“Qëllimi ynë ishte të përjetësonim njëkohësisht të kaluarën dhe të tashmen në çdo vend që kemi vizituar në një foto të vetme, të ngjallnim emocione në sytë e njerëzve dhe të linim një lloj trashëgimie – një mësim për sot dhe për të ardhmen”, thanë Softiç dhe Saljiç në një deklaratë të përbashkët.

Imazhe shtesë nga koha e luftës u siguruan nga Agjencia Evropiane e Shtypit, EPA.

Gjykata e Hagës fillimisht e dënoi Mlladiçin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e shpallur atë fajtor për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mbrojtja e apeloi vendimin, duke kërkuar lirim nga të gjitha pikat në aktakuzë, një rigjykim ose një dënim të reduktuar për Mlladiçin.

Prokuroria e Hagës apeloi gjithashtu, duke kërkuar që Mlladiç të shpallet fajtor për gjenocid në pesë komuna të tjera në 1992. Balkan Transitional Justice