FOTO: Droga e konfiskuar në Han të Elezit ishte fshehur në reflektorë

Sot gjatë ditës pas një aksioni të ndërmarrë nga Prokuroria, Policia dhe Dogana e Kosovës janë konfiskuar 83.5 kilogramë heroinë.

Droga, e cila është konfiskuar në terminalin doganor të Hanit të Elezit, ishte nisur nga Turqia në drejtim të Kosovës, dhe objektiv kishte Prishtinën.

Droga ishte fshehur në reflektorë, konkretisht në pjesën e pasme të tyre.

Lidhur më këtë rast Prokuroria e Ferizajt gjatë një konference për media ka konfirmuar se janë arrestuar shtatë persona ndërsa dy persona të tjerë janë në kërkim.

Po ashtu gjatë aksionit përveç personave të arrestuar janë konfiskuar edhe dy vetura.

“Në terminalin doganor të Hanit të Elezit është arritur të konfiskohet heroina, destinacioni ishte Prishtina. Për momentin janë duke u zhvilluar bastisje në pesë lokacione. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar shtatë persona ndërsa dy persona janë në kërkim”, ka thënë kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Ndërsa Reshat Murseli nga Drejtoria e Antidrogës në Policinë e Kosovës ka konfirmuar sasinë e drogës së konfiskuar.

“Kemi arritur të konfiskojmë 83.5 kg heroinë, kemi vazhduar me disa bastisje në rajonin e Prishtinës dhe Pejës. Janë konfiskuar edhe dy vetura. Lidhur me këto veprime Drejtoria e Antidrogës falënderon Doganën e Kosovës për bashkëpunim po ashtu edhe Policinë Kufitare”, është shprehur Murseli.