FOTO - Dëmtohen pllakat e varreve në kompleksin memorial në Reçak

Kompleksi memorial në fshatin Reçak të Shtimes ndonëse ka pak vite që është ndërtuar ka filluar të dëmtohet, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.

Në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, hapësirat rreth varreve të 45 viktimave, përkatësisht simbolet e shqiponjave në pllaka janë fshirë.

Lidhur me këtë çështje,  Adnan Elshani, drejtori i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, ka thënë për KALLXO.com se do të bëjnë sanimin e të gjitha dëmtimeve gjatë këtij viti.

“Ato janë fshirë sepse ka qenë gabim që janë vendos në atë mënyrë. Ne kemi me bo tash një zgjidhje të re për to. Pse ka ndodhur kjo, tash i bie se qe 12 vjet ka filluar memoriali me u ndërtu dhe ato shqiponjat në atë mënyrë të varrezat aty nuk munden me nejt, por duhet me u gravu dhe këtë vit e kemi fazën tjetër të punimeve”, ka shtuar ai.

Sipas Elshanit për këto dëmtime, nuk është problemi vetëm te cilësia e dobët e ndërtimit.

“Edhe jetëgjatësia e materialit dhe shumë elemente të tjera po gërshetohen dhe po shkaktohen dëme kohë pas kohe. Këto dëme ne jemi të obliguar që t’i riparojmë dhe t’i kthejmë në gjendje normale që të jetë funksional memoriali”, theksoi ai për KALLXO.com.

KALLXO.com sjell pamjet e hapësirave të këtij kompleksi, që çdo vit vizitohet nga shumë qytetarë.

Kompleksi Memorial në Reçak, 15 janar 2020 – Foto: KALLXO.com

Elshani ka bërë të ditur se pjesa e varrezave është ndërtuar në fazën e parë të punimeve, në vitet 2008-2009.

Zyrtari nga AMKMK-ja ka thënë se nga viti i kaluar e kanë kontraktuar një kompani për mirëmbajtjen e memorialit.

“I kemi bërë disa riparime megjithëse, kur po e kryejmë na një pjesë, ajo tjetra po bie. Kështu që ne e kemi tash edhe kompaninë prej shtatorit të vitit të kaluar, e cila për një periudhë tre vjeçare do ta mirëmbajë kompleksin memorial. Ne jemi duke e përcjell punën e tyre”, shtoi ai.

Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, fazat e para të ndërtimit ishin nisur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të vazhduar më pas nga AMKMK-ja.

“Në fazën e parë është ndërtuar pjesa e varrezave, ato pllakat, hyrja, shkallët. Pjesa pothuajse kryesore. Në fazën e dytë ka vazhduar ndërtimi i rrugicave dhe ka pasur edhe ndriçim, pastaj ne kemi filluar me ndërtu pjesën e shtatores së William Walker dhe hapësirës përreth”, ka thënë Adnan Elshani.

Me 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak nga forcat paramilitare serbe u vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo masakër nxiti ndërhyrjen ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar edhe se si 21 vjet pas masakrës, fëmijët e viktimave nuk po shohin perspektivë për jetë në vendin ku u sakrifikuan më të dashurit e tyre, për të jetuar jashtë vendit.

Pasardhësit e viktimave braktisin Reçakun