FOTO: Aksident në rrugën Prishtinë-Gjilan, vetura bie në përrua, vdes një 82-vjeçare

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 17:30, një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Mramor, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Lajmin për Rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Ai tha se njësitet policore të Stacionit Policor Graçanicë dhe të trafikut i janë përgjigjur njoftimit.

Ato, në vendngjarje kanë hasur një veturë të dalë nga rruga dhe të rënë në një përrua skaj rruge.

Sipas tij, në veturë kanë qenë katër persona të cilët janë dërguar me njësitet e urgjencës për në QKUK.

Ndërsa një grua e moshës 82 vjeçare, sipas konstatimit të mjekëve, si pasojë e lëndimeve të marra, ka vdekur.

E ndjera nga përroi është nxjerrë nga një kameraman i RTV21, i cili ishte kalimtar i rastit./21Media