Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës

 

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili hap punimet më 22 tetor dhe mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.

Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

Në hapje të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentë, zëvendëspresidentë dhe zëvendëskryeministra nga disa vende të botës

Edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do t`i nisë punimet më 22 tetor, në ora 9:00, në hotel “Emerald”.

Hapjen zyrtare të Forumit ndërkombëtar do ta bëj Presidentja Vjosa Osmani, e cila do të pasohet me një video mesazh nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Në hapjen e Forumit, në panelin e parë, përpos Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të marrin pjesë edhe: presidenti i Maltës, George Ëella, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, zv.kryeministrja, njëherësh ministre për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Marović dhe zëvendëspresidentja e Palaut, J. Uduch Sengebau.

Forumi do t`i zhvillojë punimet me pjesëmarrjen edhe të ministrave dhe përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme të botës, të cilët në Prishtinë do t`i adresojnë të arriturat dhe sfidat në agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë.

16 panele në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, më 22-23 tetor, në Prishtinë do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballjen e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative, etj.

 

Organizuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbeshtetur nga EULEX.