Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuciq gjatë një vizite në Pentagon, SHBA | Foto: Wikimedia/Glenn Fawcett

Forumi i sigurisë në Beograd, Vuçiqit i pengon përmendja e “dy vendeve” nga Hoti

Këtë vit forumi i sigurisë në Beograd u mbajt në formë elektronike si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Në këtë forum pjesëmarrës ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i emëruari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak si dhe përfaqësuesit amerikanë Ryan Tully dhe Cameron Munter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka pse Hoti ta përmendë një mijë herë fjalën “dy vende” pasi ekziston vetëm një i cili është i njohur nga të gjithë.

“Avdullah Hoti vazhdimisht përmend “dy vende”, “dy vende”. Ne të gjithë e dimë se çfarë mendon. Këtë fjalën “dy vende” e dëgjova njëmijë mirë herë sot. Dua t’i them se është vetëm një vend i cili është i njohur nga Kombet e Bashkuara dhe çdokush tjetër, që është i vërtetë”, tha presidenti serb.

“Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, nëse duan ta ulin Kushtetutën e Serbisë dhe të thonë se nuk ka rezolutë 1244, ne mund të themi të kundërtën dhe pastaj si do jetë konkluzioni. Kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi gati për një zgjidhje kompromisi,” ka thënë Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu tha se shumë serbë nuk e dinë çfarë po ndodhë në Prizren, Kaçanik apo Gjakovë, por janë disa çështje tjera si krijimi i Asociacionit të cilin e keni nënshkruar.

“Nëse them se njerëzit në Serbi herë pas here flasin për Kosovën, asnjë nuk e di se çfarë po ndodhë në Kaçanik, Xërxë, Prizren, Gjakovë, por janë disa çështje tjera. Kur flasim për kompromis, a mund të jetë kompromis që Serbia ta njohë Kosovën , pastaj Kosova ta njohë Serbinë, nuk ju duhet kjo sepse ne jemi vend i njohur nga të gjithë. Ju duhet ta kuptoni pozitën e Serbisë, të kujdeseni për serbët në Kosovë. Ju keni vetëm një obligim i cili është të krijoni Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nëse ne e njohim Kosovën, gjë që nuk do të ndodhë, çfarë do të bëni ju? A mos do thoni se tani do na njihni neve”, ka shtuar tutje Vuçiq.

Vuçiq për fund tha se nëse duam të arrijmë një marrëveshje kompromisi të dyja palët do jemi ta pakënaqura ose pak të kënaqura nga kompromisi.