Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Forumi i sigurisë në Beograd, Kosova është gati për një marrëveshje për normalizim me Serbinë

Këtë vit forumi i sigurisë në Beograd u mbajt në formë elektronike si pasojë e pandemisë COVID-19.

Në këtë forum pjesëmarrës ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i emëruari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak si dhe përfaqësues amerikan Ryan Tully dhe Cameron Munter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ka transformim mes marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë falë BE-së dhe SHBA-ve, kurse për një fqinjësi të mirë Hoti tha se kjo arrihet nga njohja e ndërsjellë.

“Mendoj se gjatë dy dekadave të fundit kemi parë transformim të madh të marrëdhënieve, është shenjë e qartë e një të ardhmeje paqësore, një rajoni stabil, kemi parë komunikim të rritur mes qeverive tona dhe mendoj se duhet të falënderojmë BE-në dhe SHBA-të për rolin e tyre në procese të ndryshme. Për qa sa jemi të shqetësuar si vend, politika jonë për marrëdhënie rajonale është e bazuar në principin e politikës së fqinjësisë së mirë dhe konstruktive, por sigurisht ne të gjithë e dimë se një politikë e tillë është e mundur vetëm kur punojmë së bashku, kur ne njohim njëri-tjetrin, kur hyjmë në dialog për të zgjidhur të gjitha çështjet si dhe duke siguruar të drejta shtesë për minoritete”, ka thënë Hoti.

Hoti tutje ka shtuar se Kosova synon integrim në BE dhe NATO dhe se është e gatshme për një marrëveshje me Serbinë.

“Në çështjen e sigurisë rajonale unë mendoj se ne kemi dhënë shenja të qarta si vend pasi ne kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë për sigurinë në rajon. Besoj se rajoni jonë do ketë të ardhme evropiane. Sa i përket marrëdhënieve me vendet në rajon kemi dhënë shenja të qarta për bashkëpunim pas luftërave shkatërruese të viteve 90-ta. Gjithashtu kemi shfaqur zotim të fortë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë synim të qartë për integrim në BE dhe NATO”, ka thënë Hoti.