Forumi i Prespës, Osmani takoi tre të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Në Forumin e Prespës në Ohër të Maqedonisë së Veriut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach dhe të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Sipas komunikatës për media të Presidencës, në takim me tre të dërguarit e posaçëm, Osmani ka përsëritur se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është “përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Prandaj, angazhimi i partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor është hapi i duhur drejt rienergjizimit të procesit integrues, i cili siguron paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër.

Në dy vitet e fundit, këto vende kanë emëruar të dërguarit e tyre, Bashkimi Evropian Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm për reformën zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gabriel Escobar po ashtu nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm, dhe së fundi Stuart Peach u emërua përfaqësues special nga Britania e Madhe.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është njëra prej çështjeve që të emëruarit është thënë se do t’i kenë në agjendën e tyre të angazhimeve.