FOTO - FORMULA 1
Formula 1: Anulohet Çmimi i Madh i Rusisë për vitin 2022
Drejtuesit e Formula 1 kanë njoftuar se Çmimi i Madh i Rusisë i këtij viti është anuluar.
Gara në Soçi të Rusisë, e paraparë në muajin shtator është anuluar plotësisht për këtë sezon dhe ky vendim vjen vetëm disa orë pasi UEFA e hoqi Rusinë si nikoqir të finalës së Ligës së Kampionëve.
“Kampionati Botëror i FIA-s në Formula 1 i viziton vendet në të gjithë botën me një vizion pozitiv për t’i bashkuar njerëzit, duke i bashkuar vendet. Ne po i shikojmë zhvillimet në Ukrainë me trishtim dhe tronditje dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të situatës aktuale atje. Të enjten në mbrëmje Formula 1, FIA dhe skuadrat diskutuan pozicionin e sportit tonë dhe përfundimi është, duke përfshirë pikëpamjen e të gjithë aktorëve përkatës, se është e pamundur të mbahet Çmimi i Madh i Rusisë në rrethanat aktuale”, thuhet në njoftimin e FIA-s.
Skuadra e mbështetur nga Rusia, Haas, ka hequr distinktivët e sponsorit të saj kryesor Urakali për ditën e fundit të testimit sot.
Drejtori ekzekutiv i firmës Urakali është oligarku rus Dimitry Mazepin, djali i të cilit garon për ekipin Haas, Nikita Mazepin, raporton Sky News.
Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
Britania e Madhe tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “në përballimin e agresionit rus”.