Formohet komisioni që do të intervistojë kandidatët për anëtarë të bordit të OSHP-së

Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka formuar komisionin përzgjedhës, i cili do të intervistojë kandidatët për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ky komision do të përbehet nga Rrustem Thaçi nga Gjykata Supreme, Franciska Zhitia-Imeri nga Gjykata e Apelit dhe Nikola Petronieviq nga Gjykata e Mitrovicës.

Gjatë diskutimeve për formimin e komisionit, partitë opozitare e kanë kritikuar Qeverinë për zgjatjen e këtij procesi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, tha se zgjatja e këtij procesi tregon përpjekje për kapje të OSHP-së.

“Para disa muajsh Qeveria kishte propozuar disa, që kandidat shumica parlamentare i rrëzoi në Kuvend. Kjo tregon përpjekje për të kap edhe këtë ketë organ të rëndësishëm. Qeveria edhe organizon konkurs edhe propozon njerëz jashtë konkursit. Ne nuk mund të votojmë. Nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje politike”, ka thënë Selmanaj.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tha se Qeveria nuk mund të përdor dy instrumente për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të OSHP-së.

“Pajtohem me LDK që Qeveria mund ta përdorë instrumentin e propozimit por jo dy instrumente njëkohësisht. Ose të bëj konkurs ose mund ta shfrytëzoj instrumentin e propozimit. Uroj që ky proces të shkoj deri në fund, komunave dhe investimeve kapitale”, tha Hoxha.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin për të vendosur një bord që i përshtatet.

“Kemi pas një numër të madh të ankesave gjithsej 626 kërkesa të cilat janë të pa trajtuar që Qeveria me qëllim të thjeshtë për të vendosur një bord që I konvenon nuk i ka vendosur dhe tani kërkon votën nga ne. Qeveria me vetëdije të plotë e ka shty procesin për të vendosur një bord që i shkon për shtati”, ka thënë Tahiri.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar plotësim/ndryshimin e vendimit me të cilin i janë propozuar Kuvendit kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, OShP.

Më këtë miratim, në vend të Arbnor Tmavajt është propozuar Agon Ramadani për anëtar të bordit të OShP-së.

Këtë vendim të qeverisë pak para se të formohet komisioni intervistues, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur “logjikë korruptive”.

“Një ora para se me fillua kjo pikë rendit të ditës, Qeveria online, kryeministri prej Washington-it dhe e ka çu një emër që do të shkojë para panelit përzgjedhës, po vepron me kap një institucion duke përdorur praktike hibride, të panevojshme, dhe të paligjshme. Shpallë konkurs kur nuk i pëlqejnë njerëzit, i shton edhe 3 vetë, i hek 10 vetë, prapë nuk i pëlqen, e shton sot para një ore edhe një person tjetër. Kjo logjikë korruptive është dekonspirua dhe qytetarët po e shohin”, ka thënë ai.

Në fillim të marsit, Qeveria e Kosovës kishte propozuar këta kandidatë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së.

Rreth dy muaj më pas, në mbledhjen e sotme të qeverisë, kandidati Arbnor Tmava është ndërruar me kandidatin Agon Ramadani.

Kanë kaluar një vjet që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit i njohur si Gjykata e Tenderëve ka mbetur pa bord. Në mungesë të bordit janë grumbulluar 704 ankesa të kompanive kundër institucioneve, që kërkojnë zgjidhje në OSHP.

Derisa vlera e projekteve të cilat janë bllokuar në OSHP ka shkuar mbi 200 milionë euro për shkak të mungesës së bordit, organ ky që vendos për ankesat e kompanive. Nga ana tjetër, komunat e Kosovës po e konsiderojnë jetike zgjedhjen e bordit për projektet e tyre kapitale.

Që nga koha kur OSHP ka mbetur pa bord funksional, është tentuar dy herë të zgjidhen anëtarët e bordit të ri. Për herë të parë, procesi nuk kishte shkuar deri në fund ndërsa për herën e dytë, zgjedhja e anëtarëve të bordit të OSHP-së ka dështuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga konkursi i tretë, Qeveria e Kosovës në fillim të muajit mars i ka propozuar 10 emra Kuvendit të Kosovës.

Kanë kaluar gati një muaj që kur emrat e kandidatëve kanë shkuar në Kuvendin e Kosovës.

Një vjet pa bord, mbi 200 milionë euro investime të bllokuara në OSHP