Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

Formohet komisioni hetimor për energjinë nga viti 2006, kryesues Hajdar Beqa

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Votimi për këtë komision u bë menjëherë pas themelimit të komisionit hetimor për energjinë për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Inicuese e këtij komisioni ka qenë shefja e grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila e cila tha që analiza e hetimeve për këtë komision do të jetë e një periudhe më të gjatë.

“Analiza e rrethanave në sektorin e energjisë nuk mund të bëhet në periudha afatshkurtër, por duhet shkuar prapa në kohë dhe analizuar procesin e vendimmarrjes, gjerësisht çfarë dhe si erdhëm në situatën që mungesa e investimeve më sektorin e energjisë dhe procesi i vendimmarrjes deri tash e ka sjellë Kosovën të ballafaqohet me një krizë energjetike”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se shpreson se nuk do të ketë ndeshje të agjendave të dy komisioneve.

“Uroj që të mos ballafaqohemi me situatën ku mund të ketë ndeshje të agjendave dhe probleme të tjera që mund të shkaktohen në raport me trajtimin e temës”, tha ajo.

Kryesues i këtij komisioni do të jetë deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, dhe anëtar deputeti Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deputeti Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, zëvendës kryesues Armend Muja.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi anëtare.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare do të jetë deputetja Time Kadrijaj.

Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.

Themelohet komisioni hetimor parlamentar për energjinë, Driton Selmanaj kryesues

 

LVV propozon Komision Hetimor për energjinë, kërkon hetim nga viti 2006