Formimi i Qeverisë së re, reagon Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës dhe ish-kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka reaguar pak minuta para se të fillojë seanca për  formimin e Qeverisë së re.

Ahmeti përmes një postimi në Twitter ka thënë se pas formimit të saj, vjen edhe monitorimi, duke thënë se ka kohë edhe për opozitën.

“Pa marrë parasysh se a pajtohemi me këtë qeveri apo jo, çfarëdo koalicioni tjetër edhe pse ligjor, do të ishte shtrembërim pervers i vullnetit të qytetarëve, në një demokraci të brishtë. Tani vijnë punët e vështira, e monitorimi. Ka kohë edhe për qeverinë edhe për opozitën”, ka shkruar Ahmeti.

Për pak, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të votuar të nominuarin për kryeministër Albin Kurtin dhe kabinetin e tij.

Deri te kjo ditë, kanë kaluar gati 4 muaj prej zgjedhjeve e me dhjetëra takime e negociata mes partnerëve të ri qeverisës, LVV e LDK. Këto dy parti, së bashku numërojnë 57 vota, derisa minimum i kërkuar është 61.

Mirëpo, palët ditëve të kaluara kanë negociuar edhe me deputetët e minoriteteve, ku kanë kërkuar besimin e tyre për të qeverisur me vendin.