Foto: Facebook / Ministria e Mbrojtjes

Forcat Tokësore të FSK-së zhvillojnë stërvitje fushore (FOTO)

Forcat Tokësore të FSK-së janë duke zhvilluar në zonën e Qiqavicës stërvitjen fushore “Kompania në mbrojtje”.

Stërvitja po realizohet nga kompania A3 e regjimentit të tretë të Forcave Tokësore të FSK-së.

Mbarëvajtjen e kësaj stërvitjeje e ka përcjellë sot nga afër ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili ishte i shoqëruar nga gjeneralmajor Enver Cikaqi dhe stafi i tij.

Për zhvillimin, objektivat e synuara të stërvitjes dhe trajnimit përkatës si dhe kapacitetet njerëzore e teknike të angazhuara ministrin Quni e njoftoi komandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT) gjeneral Fadil Hadërgjonaj.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Quni përgëzoi KFT-në duke vlerësuar lartë angazhimin edhe në këtë kohë të përballjes me krizën pandemike, në trajnime e stërvitje të niveleve e formateve të tilla, duke treguar nivel të lartë, disiplinë e profesionalizmi për arritjen e aftësive taktike operuese për realizimin e misionit dhe detyrave specifike të komandës së forcave tokësore dhe FSK-së në përgjithësi.

“Unë kam marrë raportet e përditshme të punës dhe angazhimit tuaj dhe jam i vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat keni kaluar gjatë kësaj periudhe, por me moral të lartë, kalitje fizike dhe shkathtësitë e duhura profesionale keni arritur t’i përballoni me sukses”, citohet të ketë thënë ministri Anton Quni.

Trajnimi “Komando-Bereta” është duke vijuar dhe është trajnim në kuadër të planit vjetor të trajnimeve sipas planit të tranzicionit për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen territoriale të vendit.