Gazetari Simon Shkreli

Forcat speciale RENEA akuzohen se penguan gazetarin në ushtrimin e detyrës

Të enjten në mbrëmje gazetari Simon Shkreli kishte dalë për shtëtitje me djalin e tij 8 vjeç dhe vajzën 4 vjeçe, kur duke u kthyer në shtëpi afër kryeqëzimit të ish-Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, vuri re se forcat RENEA po kryenin kontrolle.

Shkreli ka nxjerrë celularin dhe ka filluar të filmojë. Por prezenca e tij nuk është mirëprituar nga anëtarët e forcave RENEA. Në fillim njëri prej tyre i ka kërkuar që të largohet, ndërsa pak më vonë, dy pjesëtarë të tjerë të njësisë elitare e kanë fyer gazetarin duke e shtyre dhe kërcënuar në sy të fëmijëvë.

“E gjitha kjo ndodhi në sy të Drejtorit të Policisë Shkodër dhe Shefit të Komisariatit,” tha Shkreli për BIRN.

“Unë mbeta aty së bashku me dy fëmijët e mi të cilët po qanin dhe më thonin: Mos shko babi në burg!”, shtoi ai.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka njoftuar se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të RENEA-s gjatë incidentit në fjalë..

“Duke vlerësuar fort rolin e medias në informimin e publikut dhe duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve për të qenë bashkë në misionin për më shumë siguri, Policia e Shtetit dënon çdo akt dhe do të marrë masa për çdo kapërcim në ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit,” thuhet në njoftim për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Simon Shkreli punon si korrespondent për televizionin ABC News në qytetin e Shkodrës dhe gazetar në televizionin Rozafa. Sjellja e anëtarëve të njësisë speciale RENEA është dënuar edhe nga shoqatat e gazetarëve.

Në një deklaratë për shtyp pas ngjarjes, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Shkodër ka dënuar sjelljen e policisë ndaj gazetarit.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Qarku Shkodër dënon dhunën verbale dhe fizike që është ushtruar gjatë mbrëmjes së sotme ndaj anëtarit të organizatës sonë, gazetarit të njohur të TV Rozafa Shkodër dhe ABC News, Simon Shkreli,” shprehet Unioni.

Edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka shprehur indinjatë ‘të thellë’ për dhunën verbale të ushtruar ndaj gazetarit Simon Shkreli nga efektivë të forcave të RENEA-s.

“Gazetari po filmonte me celular një aksion që po zhvillohej në hapësirë publike në qytetin e Shkodrës dhe është dhunuar verbalisht duke u ofenduar me fjalë fyese, në sy të dy fëmijëve të mitur, edhe pse ka paraqitur dokumentin e gazetarit,” tha shoqata.

“Kjo sjellje bëhet edhe më skandaloze pasi vjen nga forcat elitare të policisë së shtetit sic është RENEA e jo nga efektive të thjeshtë policie,” shtoi ajo.

Shkreli i tha BIRN se ishte ndjerë i keqtrajtuar nga sjellja e anëtarëve të RENEA-s, jo vetëm si profesionist i medias por edhe si qytetar.

“Reagimi i tyre ishte si ndaj një krimineli, të armatosur deri në dhëmbë, I sharë I ofenduar I kapur për zhelesh, e gjitha në sy të fëmijve,” tha ai. “S’ka mbetur asgjë tjetër vetëm të më fusin edhe një plumb,” përfundoi ai i zhgënjyer. (reporter.al)