Forcat ruse shënjestrojnë fushat ajrore dhe objektet e derivateve në Ukrainë

Zyra e presidentit ukrainas, tha se forcat ruse hodhën në erë një tubacion gazi në Harkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit, ndërsa kishte flakë në një depo nafte pranë një baze ajrore në Vasylkiv, afër kryeqytetit, raportoi AP.

Zyrtarët ukrainas thanë se trupat ruse hynë në Harkiv, ku njerëzve u kërkohej të qëndronin të strehuar nën tokë në bodrume dhe stacione metroje. Forcat ukrainase vazhduan ta kishin kontrollin e kryeqytetit Kiev.

Vendet perëndimore njoftuan të dielën se do ti përjashtojnë “bankat e zgjedhura ruse” nga SWIFT në një përpjekje për ta shkëputur vendin nga sistemi bankar financiar ndërkombëtar.

Sot, është dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./Euronews