
Forcat europiane, pa mbështetjen amerikane, zor se do të garantonin paqen në Ukrainë
E sfiduar prej kërkesave amerikane që të sigurojë forcën ushtarake për zbatimin e marrëveshjes së ardhshme eventuale të paqes në Ukrainë, Europës i ka ardhur puna ngushtë.
Ekspertët thonë se dërgimi i paqeruajtësve europianë në Ukrainë mund të zgjerojë dhe të dobësojë vetë mbrojtjen e NATO-s dhe se misionit prapë do t’i duhej mbështetja e SHBA-së që të ketë sukses, shkruan agjencia e lajmeve Reuters pas bisedimeve katërorëshe të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe atyre rusë të martën më 18.02.2025 në Riad për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ndërsa çizmja ushtarake amerikane në terren mund të mos jetë e nevojshme, vendimtar do të mbetet deterenca në formën e raketave amerikane me rreze të mesme veprimi dhe me armët bërthamore.
“Nuk jam i sigurt se ndonjë garanci sigurie do të jetë 100 për qind e besueshme kundër një Putini agresiv dhe nacionalist, nëse nuk përfshin amerikanët në njëfarë mënyre”, ka theksuar Mark Lyall Grant, këshilltar i sigurisë kombëtare britanike në mandatin e parë të presidentit Trump.
Zyrtarët europianë kanë thënë gjithashtu se vetëm garancia amerikane do të mbronte paqeruajtësit europianë dhe do ta pengonte Rusinë nga çfarëdo sulmi i ardhshëm në Ukrainë.
Javën e kaluar, presidenti Trump tronditi europianët kur njoftoi për organizimin e bisedimeve dypalëshe të paqes me Rusinë, të cilat nisën të martën në Riad, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi para aleatëve se “çdo garanci sigurie duhet të mbështetet nga trupa të afta europiane dhe joevropiane”.
Ai e bëri të qartë se trupat amerikane nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.
Në një takim urgjent në Paris të hënën, liderët europianë ishin të ndarë rreth idesë së vendosjes së paqeruajtësve në Ukrainë, një plan që disa vende europiane kishin filluar ta diskutonin vjet me iniciativën e Francës.
Një forcë e tillë do të rriste rrezikun e konfrontimit të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe do të zgjeronte ushtritë europiane, rezervat e armëve të të cilave janë varfëruar nga donacionet për Ukrainën dhe të cilët janë mësuar të mbështeten shumë në përkrahjen e SHBA-së për misionet kryesore.
Të hënën, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se ishte i gatshëm të dërgonte trupa në Ukrainë, por do të duhej të kishte edhe një “ndihmë” amerikane.
A do ta dobësonte NATO-n misioni europian paqeruajtës?
Ekspertët paralajmërojnë se dërgimi i një force të madhe europiane në Ukrainë mund të dobësojë kapacitetet mbrojtëse të NATO-s kundër kërcënimit më të gjerë dhe në rritje nga Rusia pasi ndalja e konfliktit do t’i mundësonte ekonomisë së saj të luftës të përmbushte me shpejtësi rezervat ushtarake.
Shumëkush gjithashtu dyshon nëse vendet europiane, të cilat kanë luftuar për rritjen e gatishmërisë pas dekadash paqeje relative që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, mund të mbledhin shpejt mjaft trupa të gatshme luftarake, veçanërisht nëse atyre u kërkohet të sigurojnë më shumë se dy mijë kilometra vijë kontakti me Rusinë dhe aleatin e Moskës, Bjellorusinë.
Claudia Major, analiste në institutin gjerman SWP, ka thënë se krijimi i një force të tillë paqeje mezi mund të arrihet për europianët pa të tjerët.
Përllogaritjet e forcës së kërkuar të saj variojnë nga 40 mijë deri në 150 mijë trupa, pa përfshirë forcat ukrainase, ka thënë ajo të hënën për transmetuesit gjerman, ARD.
Sa për krahasim, forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë filloi me 48 mijë trupa në vitin 1999, duke siguruar një territor prej 11 mijë kilometrash katrorë, sipas një studimi të bashkautorit të Majorit, ndërsa Ukraina është pothuajse 55 herë më e madhe.
“Europianët nuk e kanë këtë masë për momentin nëse nuk dobësojnë mbrojtjen e tyre ose mbrojtjen e planifikuar të Baltikut, për shembull, gjë që padyshim se është e diskutueshme”, ka thënë Major. “Në të njëjtën kohë, atyre u mungojnë aftësitë kryesore në fushat e zbulimit, mbrojtjes ajrore ose shënjestrimi, të cilat vetëm SHBA-ja i ka në përmasa të mjaftueshme”.
Rusia kundërshton çfarëdo perspektive paqeruajtëse të NATO-s
Michael Kofman, bashkëpunëtor i lartë në “Carnegie Endowment”, ka thënë se dislokimi eventual i tri brigadave, njësi prej rreth tre mijë deri në pesë mijë trupash, në çdo kohë mund të jetë i mjaftueshëm që të sigurohen katër deri në pesë sektorët e frontit ku janë përqendruar luftimet.
Rotacionet e zakonshme për rigrupim dhe manovra do të trefishonin numrin e kërkuar ndoshta në 50 mijë sosh, “pa anuluar të gjitha kërkesat ekzistuese të planit të mbrojtjes rajonale”, postoi ai në X.
“Por forca duhet të ketë batalione pranë frontit, jo duke u sjellë rreth Ukrainës Perëndimore për manovra”, ka paralajmëruar ai, duke shtuar se njësi të ngjashme duhet të jenë mobile. “Dilema më e madhe është, çfarë duhet të bëjë kjo forcë dhe si mund të reagojë për neutralizim?”
Ai njashtu ka vënë në dyshim se çfarë veprimesh ushtarake mund të shkaktohen nga çfarëdo shkeljeje ruse e armëpushimit: “Nëse ka një fije lidhëse, si lidhet?”
Disa ekspertë mbështesin idenë që kjo punë t’u lihet në dorë forcave ukrainase për të siguruar linjën e kontaktit, duke i mbajtur mjetet e deterencës jashtë Ukrainës.
Hegseth nuk ka deklaruar në mënyrë eksplicite se trupat paqeruajtëse duhet të vendosen brenda Ukrainës, por e bëri të qartë se nuk do të mandatoheshin në klauzolëm e mbrojtjes reciproke të NATO-s, e specifikuar në Nenin 5.
Megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar të martën para gazetarëve në Riad se prania e çdo trupe nga vendet anëtare të NATO-s brenda Ukrainës do të ishte e papranueshme për Rusinë, pavarësisht flamurit të misionit të tyre.
Por ofrimi i deterencës jashtë Ukrainës mund të përbëjë një dilemë tjetër për europianët, të cilëve u mungojnë armët me rreze të mesme veprimi, që mund të godasin caqet ruse nga distanca si hakmarrje për shkeljet e armëpushimit.
Ata nuk kanë as arsenalin gjigant bërthamor të SHBA-së që ofron pengesën përfundimtare kundër Rusisë së armatosur me armë bërthamore.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com