Forcat e Izraelit godasin objektivat në Gazë derisa vdekjet po rriten

Ushtria izraelite thotë se forcat tokësore po kryejnë sulme në Rripin e Gazës – por nuk po veprojnë brenda territorit – në mes të një krize që po përshkallëzohet, shkruan The Guardian

Ushtria e Izraelit ka thënë se forcat tokësore dhe ajrore po sulmojnë objektivat në Rripin e Gazës ndërkohë që banorët atje raportuan një bombardim masiv, mes frikës se Izraeli do ta nis një ofansivë në territorin e bllokuar.

“Trupat ajrore dhe tokësore të [Forcave të Mbrojtjes së Izraelit] aktualisht po sulmojnë në Rripin e Gazës,” tha ushtria përmes një deklarate menjëherë pas mesnatës sipas kohës lokale, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Diç më vonë, ushtria lëshoi një deklaratë duke thënë se nuk kishte trupa brenda Rripit të Gazës, duke sugjeruar se nuk ishte një pushtim tokësor por ishte një zjarr artilerie dhe tankesh nga kufiri. “Sqarim: aktualisht nuk ka trupa tokësore të IDF brenda Rripit të Gazës. Forcat ajrore dhe tokësore të IDF po kryejnë sulme në objektiva në Rripin e Gazës, ” thuhej në deklaratë.

Sidoqoftë, sulmet shënuan një përshkallëzim të rëndësishëm në periudhën më të keqe të luftimeve në vite, me Izraelin që bombardon Gazën dhe militantët palestinezë të cilët sulmojnë me raketa në qytetet izraelite. Menjëherë pas njoftimit fillestar ushtarak, në një referencë të qartë për operacionin, Benjamin Netanyahu, Kryeministri i Izraelit, shkroi në Twitter: “Fjala e fundit nuk u tha dhe ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se numri i të vdekurve është rritur në 119 palestinezë, përfshirë 31 fëmijë si dhe tetë qytetarë janë vrarë në Izrael.

Izraeli u godit gjithashtu nga dhuna e mëtejshme kolektive për të katërtën natë rresht ndërmjet turmave hebreje dhe arabe të cilat përplaseshin në qytetin e Lod.

Mbi Gaza, masa flakësh të kuqe ndriçuan qiellin në orët e para të së premtes ndërkohë që shpërthimet jashtëzakonisht të fuqishme nga periferia e qytetit Gaza, e cila shtrihet më shumë se 1 km nga kufiri, i tronditën njerëzit duke i zgjuar nga gjumi ndërkohë që blloqe banesash ku ata jetonin po lëkundeshin në përgjithësi. Sulmet ishin aq të fuqishme saqë  njerëzit mund të dëgjoheshin duke bërtitur nga larg nga frika që i kishte kapluar.

Përktheu-Nuhi Shala