Stërvitja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, Foto: Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë/Facebook
Forcat e Armatosura të Shqipërisë bashkë me FSK-në dhe Policinë e Kosovës testojnë aftësitë reaguese
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se trupat specialë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Kosovës kanë testuar së bashku aftësitë reaguese dhe ndërvepruese gjatë operacioneve speciale.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, testimi i aftësive reaguese dhe ndërvepruese të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe dhe Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Kosovës është bërë nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë këtij bashkëpunimi me trupat e sigurisë së Kosovës i është referuar si stërvitje “ValorShield24”.
“Gjatë stërvitjes #ValorShield24, trupat specialë të njësive tona simuluan skenarë të ndryshëm, përfshirë operacione të zbulimit taktik, operacione psikologjike, analizimin e të dhënave të zbulimit, përdorimin e dronëve gjatë fazave të zhvillimit të operacioneve për goditjen e objekteve, si dhe parandalimin e veprimeve të grupeve taktike sulmuese” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, më 12.08.2024.