Forca të shumta të KFOR-it mbi urën e Lumit Ibër
Trupa të KFOR-it në numër më të shtuar se zakonisht janë parë gjatë ditës së sotme mbi Urën e Ibrit.
Ende nuk dihet arsyeja se pse sot, më 17.09.2024, janë parë më shumë trupa të karabinierëve në krahasim me ditët e tjera.
Edhe në fillim të këtij muaji pati më shumë pjesëtarë të këtij misioni mbi urën e cila është temë e diskutimeve tash e disa muaj.
KFOR-i në një përgjigje për KALLXO.com më 31.08.2024 kishte njoftuar se nga kjo datë mjetet shtesë që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it (NJMS) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas KFOR-it, kjo ndodhë si pjesë e një trajnimi periodik për të “testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale”.
KFOR-i kishte thënë se gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
Rritet prania e trupave të KFOR-it mbi Urën e Ibrit, karabinierët thonë se po e vazhdojnë trajnimin