Fontana afër Urës së Ibrit 26.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Fontanë në rrethin para Urës së Ibrit në Mitrovicën e Jugut
Në njërin nga rrethrrotullimet i cili gjendet në Mitrovicën e Jugut është duke u punuar për realizimin e një fontane.
Ndonëse është në pjesën jugore të qytetit, ky zbukurim gjendet në afërsi të urës që ndan dhe bashkon qytetin e Mitrovicës- Urës së Ibrit.
Rruga në të cilën po punohet fontana mban emrin rruga “Lah Nimani”.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka thënë për KALLXO.com se kjo rrugë është drejt finalizimit.
“Është punuar instrastruktura, janë vendosur sistemet kabllore nëntokësore, është bërë zgjerimi i ujësjellësit. Në këtë rrugë do të ketë korsi për qarkullim rrugor, parkingje dhe pemë dekorative. Punimet në këtë rrugë priten të përfundojnë brenda këtij viti”- ka thënë Tmava për KALLXO.com.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për gjendjen e kësaj rruge.
Veturat, kalimtarët e sidomos fëmijët që frekuentojnë rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë po përballeshin me vështirësi gjatë kalimit nëpër të.
Rruga “Lah Nimani”, e cila filloi të ndërtohet në vitin 2023, mbeti e papërfunduar akoma dhe bëri që në këtë zonë të bëhet një ‘kaos’ i madh.
E kur ka reshje atmosferike, pasojat po i vuajnë edhe pronarët e bizneseve.
“Dëmtimi i makinave, dëmtimi i bizneseve që i kemi aty përreth. Na faktiksisht prej që ka fillu kjo gjendje kaotike dëmtimi i biznesve ka ra për 80% poshtë. Pastaj rruga, balta. Para tri dite kam hasur në ata gropën, në atë ‘shahtën’ aty, natën mezi shihet ajo aty. Edhe për fëmijët është katastrofë. Shkojnë krejt me baltë në shkollë”- ka thënë Fetih Rexhepi për KALLXO.com.
Granit Tmava, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, ka thënë për KALLXO.com se kjo rrugë pritet të përfundojë më 24.11.2024.
“Afati i përfundimisht është më 24.11.2024 brenda këtij viti, mirëpo shpresoj shumë që me rezultatet që i kemi nga terreni të përfundojnë brenda afatit kohor. Nuk është zvarritë, nuk është vonu. Është në afatet kohore, komplet infrastruktuës me të gjitha mjetet që ia përcjell duke pasur parasysh sistemin kabllor nëntokësor, sistemin e rrjetit të kanalizimit, rrjetin e ujësjellësit dhe ndriçimit”- ka thënë Tmava për KALLXO.com.